Rektori Temaj priti në takim përfaqësuesit e Agjencisë të Teknologjisë së Integruar Bujqësore

Rektori Temaj priti në takim përfaqësuesit e Agjencisë të Teknologjisë së Integruar Bujqësore

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj të premten ka pritur në takim përfaqësuesit e Agjencisë të Teknologjisë së Integruar Bujqësore nga Turqia, të përfaqësuar nga Selim Erden. Në takim është diskutuar mundësia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për krijimin e një Qendre hulumtuese dhe sigurimi i fondeve të qëndrueshme për hulumtime shkencore. Kjo Qendër do të jetë në shërbim të studentëve të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit për kryerjen e praktikës që të mund të përforcojnë formësimin e tyre akademik dhe të fitojnë përvoja të reja.

Rektori Temaj u shpreh i gatshëm që të nënshkruaj këtë marrëveshje në moentin që të harmonizohet drafti final në mes të dy palëve, sepse është edhe interes i institucionit dhe studentëve.

Nga ana tjetër, z. Erden bëri të ditur mundësitë që do të ofrohen nga kjo Qendër hulumtuese  dhe theksoi se përfitimet do të jenë shumëdimensionale.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, Prof. Asoc. Dr. Isuf Lushi e vlerësoi lartë këtë mundësi që i është ofruar Universitetit dhe FSHJM-së, duke potencuar se fakulteti që e drejton e mirëpret.

Paraprakisht u zhvillua edhe një vizitë në FSHJM, ku u zhvillua takimi me stafin e këtij fakulteti.

Vlen të theksohet se ky takim u mundësua nga z.  Besim Loshaj, i cili është anëtar Bordit Këshillues Industrial të FSHJM-së. Z. Loshaj e falënderuan për kontributin Rektori Temaj dhe dekani Lushi.