
Aktivitet sensibilizues për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret në SHFMU “Shaban Shabani” në Dragash
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm në shërbim të komunitetit dhe promovimit të edukimit mjedisor, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren realizoi një aktivitet sensibilizues në SHFMU “Shaban Shabani” në Dragash me temën “Zjarret Pyjore”.
Aktiviteti u organizua në kuadër të realizimit të lëndëve praktike profesionale dhe lëndës “Mbrojtja e Pyjeve nga Zjarret”, që zhvillohet në programin Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit.
Prezantimi u realizua nga Prof. Asoc. Dr. Ylli Kortoçi dhe Prof. Asoc. Dr. Mirvjena Kortoçi, së bashku me studentët e vitit të tretë të programit. Gjatë aktivitetit, nxënësit u njohën me rëndësinë e pyjeve për jetën dhe mjedisin, shkaqet kryesore të zjarreve pyjore, mënyrat e përhapjes së tyre, si dhe masat parandaluese dhe veprimet e nevojshme në rastet emergjente.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të njeriut në parandalimin e zjarreve dhe rëndësisë së edukimit ambiental tek gjeneratat e reja, si faktor kyç për mbrojtjen afatgjatë të ekosistemeve pyjore.
Pas pjesës prezantuese, aktiviteti vijoi me një vizitë edukative në stacionin e zjarrfikësve në Dragash, ku studentët patën mundësinë të njihen nga afër me pajisjet, automjetet dhe procedurat e intervenimit në rastet e zjarreve pyjore.
Përmes aktiviteteve të tilla, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit vazhdon të japë kontribut të drejtpërdrejtë në komunitet, duke ndërlidhur aspektin akademik me edukimin praktik dhe duke promovuar ndërgjegjësimin shoqëror për mbrojtjen e pyjeve dhe mjedisit.









