
Ligjëratë nga Msc. Evelina Ajazaj për studentët e Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit
Më 9 Prill 2025, në Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti” – Prizren, u mbajt një aktivitet i veçantë me ligjëratë mysafire nga Msc. Evelina Ajazaj, ish-studente e dalluar e Programit të Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit.
Msc. Ajazaj ishte e ftuar nga Prof. Asoc. Dr. Ylli Kortoçi në kuadër të lëndës Praktikat Profesionale. Ajo mbajti një ligjëratë për studentët tanë me temën: “Shpirti dhe Esenca e Gjuetisë.” Gjatë ligjëratës, u trajtuan shumë tema me rëndësi, përfshirë Ligjin për Gjueti, Armatimin dhe Trofetë, Planet e Menaxhimit, Kinologjinë, përfshirjen e femrave në gjueti, si dhe projektet e ardhshme në këtë fushë.
Msc. Evelina Ajazaj, e cila aktualisht punon në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në Departamentin e Pylltarisë si Zyrtare për Politikat e Menaxhimit të Faunës së Egër, ka një karrierë të pasur profesionale. Disa nga aktivitetet dhe angazhimet e saj janë:
- Që nga janari i vitit 2020, ligjëruese pranë Komisionit të Federatës së Gjuetarëve të Kosovës (FGJK) për aftësimin e kuadrove në menaxhimin e kafshëve të egra dhe gjueti;
- Që nga 2 korriku 2021, anëtare e rregullt e Kuvendit të FGJK dhe anëtare e Komisionit Profesional të FGJK;
- Anëtare e kolegjiumit për botimin e “Doracakut për provimin e Gjuetisë”, autor Msc. Naim Ramadani;
- Bashkautore me Naim Ramadanin në librin “Menaxhimi i Kafshëve të Egra në Republikën e Kosovës”, botuar në tetor 2024, bazuar në punim shkencor të miratuar nga Instituti i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë;
- Anëtare e stafit profesional për hartimin e Planeve Menaxhuese të Vendgjuetive në FGJK;
- Pjesëmarrëse aktive në komisione dhe trupa të tjerë të FGJK-së sipas nevojës;
- Gjuetare e pasionuar dhe e guximshme, me trofe të fituara, përfshirë kaprollin në vendgjuetinë “Eko-Fazan” në Kërçovë, Maqedonia e Veriut, si dhe trofe të tjerë.
Dekani, Administrata e Fakultetit dhe stafi akademik e vlerësojnë lartë kontributin e Msc. Evelina Ajazaj për ndarjen e përvojës profesionale me studentët tanë, duke iu ofruar atyre njohuri praktike dhe motivim për karrierat e tyre të ardhshme.
E falënderojmë sinqerisht për angazhimin dhe përkushtimin e saj të vazhdueshëm në zhvillimin profesional në fushën e pylltarisë dhe menaxhimit të mjedisit!
#LigjerateMysafire #PylltariDheMjedis #UniversitetiUkshinHoti #PraktikatProfesionale #StudentetNeQender #MenaxhimiFaunes #Kosova










