
Eksperiencë e Veçantë me Studentët në Aktivitetin e Monitorimit të Zogjve
Studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit në kuadër të lëndës: Biologjia e shtazëve patën mundësinë të marrin pjesë në një aktivitet praktik të veçantë, duke kontribuar në monitorimin e zogjve. Aktiviteti, që përfshinte procesin e vendosjes së rrjetave, identifikimin e zogjve përmes thirrjeve të tyre dhe unazimin e zogjve, ishte një dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit midis shkencës dhe natyrës për ruajtjen e biodiversitetit.
Aktiviteti u realizua në kuadër të projektit unik dhe ekspozitës “Zogjtë thërrasin” dhe u mundësua nga Liridon Shala dhe Erald Xeka, të cilët ishin gjithashtu pjesëmarrës dhe udhëhoqës të kësaj iniciative. Gjatë kësaj eksperience, studentët jo vetëm që mësuan metoda të reja për monitorimin dhe ruajtjen e zogjve, por gjithashtu patën mundësinë të kontribuonin në një nismë të rëndësishme për ekologjinë.
Profesori i lëndës, Prof. Asoc. Dr. Albana Milaimi, shprehu krenarinë për studentët e saj që morën pjesë në këtë aktivitet, duke theksuar se përvoja të tilla janë të çmuara për zhvillimin e shkathtësive praktike dhe të kuptuarit e rëndësisë së mbrojtjes së natyrës. “Përvoja të tilla na kujtojnë sa shumë kemi ende për të mësuar nga natyra dhe sa e rëndësishme është ta mbrojmë atë”, tha Dr. Milaimi.
Ky aktivitet ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët dhe për të gjithë ata që e vlerësojnë rolin e rëndësishëm të biodiversitetit në ekosistemet tona. Falënderojmë të gjithë ata që kontribuan në këtë nismë dhe bëjnë të mundur ruajtjen e mjedisit tonë.
Faleminderit Liridon Shala, Erald Xeka dhe studentët për angazhimin tuaj!










