
FSHJM kontribuon në hapjen zyrtare të Laboratorit për Zhvillim Urban dhe Reziliencë Klimatike
Përfaqësues të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) morën pjesë në hapjen zyrtare të Laboratorit për Zhvillim Urban dhe Reziliencë Klimatike, e cila u mbajt të hënën, më 13 tetor, në Sallën Modelarium të Fakultetit të Arkitekturës, Universiteti i Prishtinës.
Ky aktivitet shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike dhe reziliencës urbane. Laboratori synon të shërbejë si platformë për kërkim shkencor, zhvillim profesional dhe përfshirje aktive të studentëve në çështje bashkëkohore mjedisore dhe urbane.
Në këtë ngjarje, FSHJM u përfaqësua nga Prof. Asoc. Dr. Mirvjena Kortoci, së bashku me studentët e programit Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit, të cilët kanë qenë pjesë aktive e kësaj nisme që nga faza e përgatitjes së programit deri te përzgjedhja dhe angazhimi i studentëve.
Hapja e laboratorit është pjesë e një aktiviteti më të gjerë që përfshin edhe shënimin e Ditës së Adaptimit ndaj Ndryshimeve Klimatike, më 22 tetor, në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë (KSDW), ku njëkohësisht do të bëhet edhe ceremonia e certifikimit të studentëve dhe bashkëpunëtorëve të përfshirë.
FSHJM vlerëson lart këtë bashkëpunim dhe mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në edukim, kërkim shkencor dhe zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë.














