
FSHJM merr pjesë në trajnimin “Prizreni i qëndrueshëm” në kuadër të projektit Public Spaces 4All
Përfaqësues të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) morën pjesë në trajnimin një-ditor të organizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4All”, me temën “Prizreni i qëndrueshëm: Zhvillimi qarkor, zgjidhjet e bazuara në natyrë dhe planifikimi pjesëmarrës”, i cili u mbajt më 25 nëntor 2025, në ABI Green Hotel.
Në këtë aktivitet, FSHJM u përfaqësua nga Prof. Asoc. Dr. Mirvjena Kortoçi dhe Prof. Asoc. Dr. Ylli Kortoçi, së bashku me studentët e vitit të dytë të programit Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit, të cilët morën pjesë aktive në diskutime dhe sesione interaktive.
Qëllimi i trajnimit ishte të nxisë gjithëpërfshirjen dhe bashkëpunimin ndërmjet ligjëruesve dhe pjesëmarrësve, duke adresuar çështje me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit të Prizrenit, siç janë hapësirat publike dhe të gjelbra, zhvillimi ekonomik lokal, ndryshimet klimatike dhe ndotja mjedisore.
Në trajnim morën pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare, institucioneve lokale, personave me aftësi të kufizuara (PAK), studentë, gra dhe media, duke e bërë këtë aktivitet një platformë të rëndësishme dialogu dhe shkëmbimi përvojash.
FSHJM vlerëson rëndësinë e këtyre aktiviteteve dhe mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm, përfshirjen sociale dhe edukimin e studentëve për sfidat bashkëkohore mjedisore.





