
FSHJM pjesë e Forumit të Parë Kombëtar për Biomasën e Drurit
Përfaqësues të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) morën pjesë në Forumin e Parë Kombëtar për Biomasën e Drurit, me temën “Nga mbetjet pyjore drejt bioekonomisë qarkore”, i cili u mbajt të enjten, më 04 dhjetor 2025, në Hotel Emerald, Prishtinë.
Në këtë forum, FSHJM u përfaqësua nga Prof. Asoc. Dr. Mirvjena Kortoçi, Prof. Asoc. Dr. Ylli Kortoçi, si dhe nga studentët e programit Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit, të cilët patën mundësi të ndjekin prezantime profesionale dhe diskutime të nivelit të lartë mbi rolin e biomasës drusore në zhvillimin e qëndrueshëm dhe tranzicionin drejt bioekonomisë qarkore.
Forumi u organizua nga CNVP Kosova, në kuadër të projektit “Përdorimi i Qëndrueshëm i Burimeve Natyrore për Mjedisin dhe Zhvillimin Ekonomik” (SUNREED), me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë (Sida). Ngjarja synoi të krijojë një platformë gjithëpërfshirëse për koordinim ndërinstitucional, dialog politik, planifikim strategjik dhe ndarje të praktikave më të mira në fushën e shfrytëzimit të qëndrueshëm të biomasës pyjore.
Në forum morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, sektori privat, organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Vëmendje e veçantë iu kushtua përvojave të vendeve të Bashkimit Evropian, si Suedia, Austria dhe Sllovenia, në menaxhimin efikas të pyjeve, mobilizimin e biomasës dhe zhvillimin e sistemeve moderne të ngrohjes me bazë biomasën.
Pjesëmarrja e FSHJM-së në këtë forum kontribuon në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe politikave publike, si dhe në përgatitjen e studentëve për sfidat dhe mundësitë që lidhen me menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore dhe zhvillimin e bioekonomisë në Kosovë









