Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, lansohet Projekti “Mentorimi për ndryshimet klimatike” për studentë
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, të enjten është bërë lansimi i Projektit “Mentorimi për ndryshimet klimatike” për studentët.
Fjalimin mirëseardhës e mbajti Prof. Ass. Dr. Arsim Susuri, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë. Po ashtu nga një fjalë rasti e mbajtën edhe përfaqësuesi i Zyrës së Koordinimit të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Prishtinë(ADA) dhe Znj. Maria Suokko, përfaqësuese e Përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP. Një prezantim të shkurtër të projektit “Fuqizimi i Veprimit Lokal për Klimën” e bëri Znj. Xheva Berisha Rexhepi, Menaxhere e projektit, UNDP , kurse prezantimin e projektit të mentorimit për ndryshime klimatike e bëri Prof. Ass. Dr. Faruk Bojaxhi, i cili vëri në pah qëllimin e projektit dhe objektivat, përshkrimin e aktiviteteve dhe vizitave studimore dhe rezultatet e pritura. Po ashtu Bojaxhi prezantoi mentorët dhe studentët. Projekti mbështetet nga UNDP, ADA austriake, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Suharekës.
Qëllimi i programit të mentorimit është të përmirësojë njohuritë e studentëve në fushën e mjedisit, ndryshimeve klimatike dhe se si ato lidhen për zhvillimin rural për të rinjtë në Prizren dhe Suharekë. Ndërsa vizioni për programin është të nxisë përpjekjet për të përshpejtuar veprimin lokal të klimës dhe fuqizimin e të rinjve dhe të rejave që të bëhen agjentë të ardhshëm të ndryshimit në komunitetet e tyre.