
Pjesëmarrja e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Kampin Pyjor të Kosovës 2024
Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, në bashkëpunim me organizatën FAO, Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, mori pjesë në Kampin Pyjor të Kosovës, i cili u mbajt nga data 21 deri më 25 Tetor 2024 në Novobërdë. Në këtë event të përvitshëm, pjesë e agjendës për akreditimin e programit “Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit,” morën pjesë dekanja Prof. Asoc. Dr. Albana Plakiqi Milaimi, Prof. Asoc. Dr. Mirvjena Kellezi dhe Prof. Asoc. Dr. Ylli Kortoçi, së bashku me studentët e vitit të tretë të këtij programi.
Gjatë kampit, pjesëmarrësit zhvilluan aktivitete praktike të cilat përfshinin menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, praktikat silvikulturore, përdorimin e mjeteve të sigurta në pylltari, si dhe rolin e gruas në sektorin e pylltarisë. Profesorët kontribuan në mënyrë vullnetare, duke ofruar mbështetje dhe njohuri për studentët, të cilët patën mundësinë të përfitojnë nga një përvojë e rëndësishme profesionale.
Pjesëmarrja e shkollave të mesme bujqësore nga mbarë Kosova e pasuroi më tej këtë event dhe kontribuoi në promovimin e programit tonë në komunitetin e gjerë. Një moment krenarie për fakultetin tonë ishte prania e alumnëve tanë, të diplomuar tashmë të punësuar në FAO dhe APK, të cilët kontribuuan si pjesë e stafit teknik të kampit.
Falënderojmë FAO-n, Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, të cilat e bëjnë të mundur organizimin e aktiviteteve të tilla që ndihmojnë studentët tanë të përgatiten për sfidat profesionale në fushën e pylltarisë dhe mbrojtjes së mjedisit.
Ky kamp është një mundësi e vlefshme për të promovuar zbatimin e njohurive në terren dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë.


















