
Promovimi i Programeve të FSHJM-së në Shkollën e Mesme Ekonomike "Ymer Prizreni" në Prizren
Sot, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) vazhdoi aktivitetet promovuese me një vizitë në Shkollën e Mesme Ekonomike “Ymer Prizreni” në Prizren. Fakultetin e përfaqësuan Prof. Asoc. Dr. Isuf Lushi dhe studentja nga programi Agrobiznes, Beslinda Himaj, të cilët prezantuan programet studimore dhe mundësitë që ofron FSHJM.
Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i maturantëve mbi programet bachelor në Agrobiznes dhe Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit, si dhe për mundësitë e karrierës që këto fusha ofrojnë në sektorët e bujqësisë, menaxhimit të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Prezantimi shërbeu për të nxitur interesin e të rinjve dhe për t’i inkurajuar ata të mendojnë për këto fusha si alternativa të vlefshme për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.
Në këtë rast, dëshirojmë të falënderojmë përzemërsisht drejtoreshën e shkollës, znj. Myvedete Gavazaj, për mikpritjen dhe mbështetjen në realizimin e këtij aktiviteti. Bashkëpunimi i shkëlqyer me stafin e shkollës kontribuoi në mbarëvajtjen e këtij promovimi.
Faleminderit edhe maturantëve që morën pjesë dhe shfaqën interes për programet e FSHJM-së!





