Prorektorja Plakiqi-Milaimi mbajti takim koordinues për aktivitetin Java e Mirëseardhjes 2021 për studentët e rinj
Prorektorja Plakiqi-Milaimi mbajti takim koordinues për aktivitetin Java e Mirëseardhjes 2021 për studentët e rinj
Prof. Ass. Dr. Albana Plakiqi-Milaimi Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, dhe koordinatori i Qendrës së Karrierës&Alumni në Universitetit, z. Nehat Gashi, të enjten kanë mbajtur takim me dekanët e njësive akademike, shefat e programeve studimore, kryetarin e Parlamentit Studentor dhe kryetarët e këshillave studentore në njësitë akademike, për të diskutuar për aktivitetin Java e Mirëseardhjes së studentëve të rinj në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren.
Prorektorja Plakiqi-Milaimi i njoftoi të pranishmit se Universiteti “Ukshin Hoti” sivjet do të organizojë aktivitetin Java e Mirëseardhjes për t’i ndihmuar studentët të përgatiten dhe të jen gati për të filluar studimet.
Është një kohë e dedikuar për studentët që të eksplorojnë Universitetin dhe kampusin, të takojnë studentët kolegë, mësimdhënësit, udhëheqësit e programeve dhe të mësojnë kuptimin e jetës studentore që i pret. Do tu ofrojmë informacion thelbësor për të filluar, mundësi për tu socializuar, eksploruar dhe kontribuar dhe t’ju sigurojnë përshtypjen e parë pozitive dhe lidhjen e qëndrueshme me Universitetin.
Për secilin program studimor në bazë të agjendës që do të publikohet, do të mbahet një takim mirëseardhës nga Dekani , shefi i programit, koordinatori i Qendrës së Karrierës dhe Kryetari i Këshillit studentor të njësisë akademike. Studentët do të njoftohen me programin studimor, mundësitë që ofron universiteti, do të njoftohen me strukturat e fakultetit dhe procesin mësimor. Këtë ditë studentët do të njoftohen me Doracakun e Studentit dhe me Doracakun e programit studimor.
Aktivitetet kryesore të mirëseardhjes do të organizohen më 18 dhe 19 tetor 2021, në bazë të agjendës që do të publikohet me kohë.
Sipas kërkesave shefat e programeve do të takojnë edhe personalisht studentët e interesuar, gjatë tërë javës në bazë të nevojave që kanë për sqarime shtesë. Kjo do të realizohet për 5 ditë prej 18 -22 Tetor 2021., prej orës 9:00 deri 15:00.
Në ditët e Javës së Mirëseardhjes studentët do të mund të bëjnë vizitë nëpër kampus ku do të njohën me sallat mësimore, bibliotekën, laboratorët, bufenë, dhe hapësirat e tjera.
Ju rikujtojmë se për shkak të Pandemisë Covid-19, çdo student që hyn në Universitet duhet të posedoj njërën nga dëshmitë, bazuar në Vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 01/35 të datës 12.09.2021, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave setrologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.