Studentët e Agrobiznesit të FSHJM-së trajnohen nga FAO për “Vlerësimin e dëmeve pas vërshimeve në Kosovë”
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren të enjten ka filluar trajnimi dy-ditor nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuar (FAO) me studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) – Programi Agrobiznes, të përzgjedhur të jenë anketues. Trajnimi po mbahet në kuadër punëve përgatitore për vlerësimin e dëmeve dhe nevojave të familjeve bujqësore të prekura nga përmbytjet e janarit 2023 në komunat: Gjakovë, Skenderaj, Mitrovicë, Rahovec, Podujevë, Klinë, Istog. Me angazhimin e Prof. Asoc. Dr. Ekrem Gjokaj studentët e këtij fakulteti janë propozuar për të qenë anketues për të zhvilluar intervistat në prezencë të familjeve bujqësore, duke përdorur një aplikacion të vendosur në telefonin mobil.
FAO tashmë ka përgatitur një pyetësor për të vlerësuar ndikimin e vërshimeve në prodhimtarinë bujqësore dhe sigurinë ushqimore të familjeve duke përfshirë edhe nevojat për rehabilitim.
Ky pyetësor do të përdoret për të intervistuar familjet në terren dhe anketimi do të fillojë me datën 11 Mars 2023 dhe pritet të zgjasë rreth gjashtë ditë.