
U mbajt me sukses ekspozita fotografike dhe ligjërata shkencore mbi biodiversitetin shqiptar në FSHJM
Në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM), Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, u mbajt me sukses aktiviteti akademik që përfshinte ligjëratën shkencore dhe ekspozitën fotografike “100 Bimë dhe Habitate të Rrezikuara Shqiptare”.
Ky aktivitet mblodhi një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish, përfshirë studentë nga FSHJM dhe fakultete të tjera të UPZ-së, si dhe staf akademik të fakultetit, duke dëshmuar interesin e lartë për temat që lidhen me biodiversitetin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Aktiviteti u hap me një fjalë rasti nga Dekania e FSHJM-së, Prof. Asoc. Dr. Albana Milaimi, e cila theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe edukimit akademik në ruajtjen e biodiversitetit dhe në përballimin e sfidave mjedisore bashkëkohore.
Në vijim, Prof. Dr. Lulezim Shuka mbajti ligjëratën kryesore, ku trajtoi në mënyrë të detajuar larminë bimore të Shqipërisë, rëndësinë e saj ekologjike dhe statusin e rrezikimit të shumë llojeve me interes ruajtjeje.
Pas ligjëratës, ekspozita u prezantua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Prof. Dr. Lulezim Shuka dhe Dr. Abdulla Diku, të cilët udhëhoqën pjesëmarrësit përmes fotografive, duke shpjeguar karakteristikat e bimëve dhe habitateve të paraqitura, me theks të veçantë në vlerat e tyre ekologjike dhe nevojën për ruajtje.
Ekspozita paraqiti një koleksion të pasur fotografish, që ilustrojnë biodiversitetin e florës shqiptare përgjatë katër stinëve, duke evidentuar njëkohësisht edhe rrezikimin e shumë ekosistemeve natyrore.
Ky aktivitet shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit akademik dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e biodiversitetit në rajon.















