
Vizitë akademike nga Bursa Teknik University në kuadër të programit Erasmus+
Në kuadër të programit Erasmus+, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) mirëpriti dy profesorë nga Bursa Teknik University – Prof. Asoc. Dr. Salih Parlak dhe Prof. Asoc. Dr. Murat Köse, nga Fakulteti i Inxhinierisë Pyjore.
Gjatë qëndrimit të tyre në FSHJM, profesorët e ftuar mbajtën ligjërata të hapura për studentët e programit të Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit, duke ndarë njohuri dhe përvoja nga fusha e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe teknologjisë së drurit.
Në kuadër të vizitës, ata patën mundësinë të vizitojnë laboratorët e fakultetit, si dhe të zhvillojnë takime me stafin akademik të FSHJM-së për të shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet institucioneve.
Një takim i veçantë u zhvillua edhe me Drejtorin e Pyjeve, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me qëllim të identifikimit të mundësive për bashkëpunim trepalësh në fushën e kërkimit shkencor, shkëmbimit të përvojave profesionale dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta.
Vizita u vlerësua si shumë e frytshme dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të partneriteteve ndërkombëtare të FSHJM-së dhe nxitjes së mobilitetit akademik për stafin dhe studentët.




