
Vizitë studimore e nxënësve të SH.F.M.U “Haziz Tola” në NaBiLab
Në kuadër të aktiviteteve edukative dhe bashkëpunimit me shkollat, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren mirëpriti nxënësit e klasave të teta nga SH.F.M.U “Haziz Tola” në një vizitë studimore të realizuar në Nature & Biodiversity Lab (NaBiLab).
Vizita u organizua me kërkesë të shkollës, në mbështetje të projektit të nxënësve me temë “Përcaktimi i biodiversitetit në kopshtin e shkollës”, me qëllim që ata të njihen nga afër me metodat shkencore të studimit të biodiversitetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë 50 nxënës, të shoqëruar nga 3 mësimdhënës, prej të cilëve 1 të biologjisë. Për shkak të numrit të pjesëmarrësve, aktiviteti u zhvillua në dy sesione të njëpasnjëshme.
Aktiviteti u udhëhoq nga Prof. Asoc. Dr. Albana Milaimi, me ndihmën e studentëve të Fakultetit nga programi “Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit” dhe programi “Agrobiznes”.
Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë:
- të njihen me mënyrat e punës në terren në biologji;
- të mësojnë për përgatitjen e bimëve për herbarium dhe të vëzhgojnë mostra të herbarizuara;
- të shohin mënyrat e mbledhjes dhe ekzaminimit të insekteve, përfshirë përdorimin e stereomikroskopit;
- të njihen me bazat e identifikimit të specieve përmes çelësave botanikë dhe zoologjikë;
- të vëzhgojnë koleksionet e shtazëve në laborator.
Aktiviteti u realizua në mënyrë interaktive, duke u shoqëruar me diskutime dhe pyetje nga nxënësit, dhe u mbështet me materiale vizuale dhe demonstrime praktike.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe shkollave, si dhe në promovimin e edukimit mjedisor dhe shkencor tek të rinjtë.




























