
Vizitë studimore në kompaninë "Agroprodukt" në Istog dhe në Fidanishten e Institutit të Pyjeve në Pejë
Në kuadër të përpjekjeve për të afruar studentët me praktikën profesionale dhe aktivitetet fushore, studentët e Programit “Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit” të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit realizuan një vizitë studimore në kompaninë “Agroprodukt” në Istog dhe në Fidanishten e Institutit të Pyjeve në Pejë.
Studentët u shoqëruan nga Dekan-ja e FSHJM, Prof. Asoc. Dr. Albana Milaimi, si dhe nga profesorët Ylli Kortoçi dhe Mirvjena Kellezi, në kuadër të lëndëve: Produktet pyjore jo drusore, Praktika profesionale dhe silvikultura, si dhe Mbrojtja e mjedisit dhe Monitorimi mjedisor.
Në kompaninë “Agroprodukt”, pjesëmarrësit u pritën nga menaxheri z. Besim Loshaj, i cili prezantoi aktivitetet e kompanisë në kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve pyjore jo-drusore, me theks të veçantë në bimët mjekësore dhe aromatike. Studentët patën rastin të njihen nga afër me proceset e grumbullimit, tharjes dhe përpunimit të këtyre produkteve, si dhe me rëndësinë që ato kanë për zhvillimin rural dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
Më pas, vizita vazhdoi në Fidanishten e Institutit të Pyjeve në Pejë, ku studentët u mirëpritën nga Drejtori i Institutit, z. Luan Hyseni, dhe stafi teknik. Gjatë vizitës, u prezantuan metodat bashkëkohore të shumimit të fidanëve, përkujdesjes për to dhe planifikimit të rigjenerimit pyjor. Stafi i Institutit ndau përvojat e tyre në fushën e silvikulturës dhe ndihmoi studentët në kuptimin praktik të koncepteve të trajtuara gjatë ligjëratave.
Kjo vizitë u vlerësua si shumë e dobishme nga të gjithë pjesëmarrësit, duke krijuar ura të reja ndërmjet teorisë dhe praktikës, dhe duke kontribuar në formimin profesional të studentëve në drejtimet e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore dhe mbrojtjes së mjedisit











