
Zhvillohet vizita e ekipit të ekspertëve për akreditimin e programit master në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Më 31 mars 2026, në Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren u zhvillua vizita e ekipit të ekspertëve në kuadër të procedurës së akreditimit të programit master “Shkenca Pyjore dhe Ekologjia e Pyjeve”.
Vizita u organizua nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe përfshiu një agjendë të strukturuar takimesh me palë të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit, me qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të cilësisë së programit.
Gjatë ditës, ekipi i ekspertëve zhvilloi takime me menaxhmentin e fakultetit, përfaqësuesit e sigurimit të cilësisë dhe stafin administrativ, bartësit e programit, stafin akademik, studentët si dhe përfaqësues të palëve të jashtme të interesit. Po ashtu, në kuadër të vizitës u realizua edhe inspektimi i hapësirave dhe infrastrukturës së institucionit.
Vizita u përmbyll me një takim përmbyllës me menaxhmentin e fakultetit dhe programit, ku u diskutuan përshtypjet fillestare dhe u theksua rëndësia e proceseve të vazhdueshme për sigurimin dhe përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në procesin e akreditimit dhe në avancimin e standardeve akademike në universitet.











