
Studentët e Programit Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit realizuan ekspeditë studimore në Divjakë
Angazhimi në çështjet e mjedisit nuk është vetëm përgjegjësi profesionale dhe shoqërore, por edhe një përvojë me vlerë të veçantë edukative dhe personale. Me këtë frymë, studentët e programit Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM), në Universiteti “Ukshin Hoti”, realizuan një ekspeditë studimore në zonën e mbrojtur të Divjakës.
Në këtë vizitë studimore morën pjesë studentët e programit, të shoqëruar nga stafi akademik: Ylli Kortoçi, Mirvjena Këllezi dhe Faruk Bojaxhi.
Gjatë ekspeditës, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me vlerat natyrore dhe ekologjike të kësaj zone të mbrojtur, e cila njihet për biodiversitetin e pasur, ekosistemet karakteristike dhe menaxhimin e mirë institucional.
Vizita shërbeu si një mundësi e rëndësishme për studentët që të lidhin njohuritë teorike me praktikat reale të menaxhimit të zonave të mbrojtura, ruajtjes së biodiversitetit dhe mbrojtjes së burimeve natyrore.
Divjaka mbetet një shembull i rëndësishëm i harmonizimit ndërmjet mbrojtjes së natyrës, edukimit mjedisor dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
FSHJM mbetet e përkushtuar në ofrimin e përvojave praktike dhe aktiviteteve në terren, të cilat pasurojnë formimin akademik dhe profesional të studentëve tanë.








