
Vizita Studimore në Agroproduct – Istog
Më 11 Shtator 2023, Studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe mjedisit (FSHJM) të Universitetit “Ukshin Hoti” të Prizrenit kanë pasur një përvojë të jashtëzakonshme gjatë vizitës studimore në në Agroproduct – Istog – pikën e grumbullimit të bimëve Mjekësore dhe aromatike.
Me një dritë dielli të bukur dhe energjinë e tyre pozitive, studentët u përballën me një dritë tjetër të bimëve mjekësore që janë thelbësore për shëndetin dhe mjekësinë moderne. Vizita u organizua nga Programi i Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit (Prof. Asoc. Dr. Albana Milaimi dhe Msc. Liridon Buqaj PhDc) në bashkëpunim me industrinë vendore (Msc. Besim Loshaj, njëherit edhe anëtarit i Bordit Këshillëdhënes Industrial në FSHJM) për të ofruar studentëve një perspektivë më të thellë mbi aplikimet klinike, tradicionale dhe kulinarike të këtyre bimëve. Në takim u diskutua edhe për mundësitë që ofron FSHJM për kryerjen e hulumtimeve bazuar në nevojat e Biznesit në fjalë.
Pjesëmarrësit u njohën me prodhimin, përpunimin, certifikimin, deponimin e bimëve mjekësore në fabrikë, duke pasur mundësi të shohin procesin e prodhimit dhe të mësojnë më shumë për standardet e cilësisë që duhet të plotësojnë këto produkte për të përdorur për qëllimet në fjalë. Gjithashtu, ata patën rastin të dëgjonin nga ekspertë të fushës rreth avantazheve të përdorimit të bimëve mjekësore në mjekësi.
Një studente, Yllka Shehdadi, tha: “Kjo ishte një eksperiencë më shumë se e mrekullueshme. Duke parë procesin e prodhimit dhe mësuar më shumë rreth bimëve mjekësore që ne studiojmë ka ndihmuar të kuptojmë thellësisht rolin e tyre në shëndet dhe mjekësi.”
Dekanja e FSHJM-së, Prof. Asoc. Dr. Albana Plakiqi Milaimi, shtoi: “Vizitat studimore të këtij lloji janë shumë të rëndësishme për të lidhur teorinë me praktikën. Ne po punojmë vazhdimisht për të krijuar më shumë mundësi të tilla për studentët tanë, sepse kjo ndihmon në zhvillimin e tyre profesional.”
Vizita e sotme ishte një hapi i rëndësishëm drejt njohjes më të thellë të botës së bimëve mjekësore dhe potencialit të tyre në mjekësi dhe kulinari. Studentët janë të motivuar për të vazhduar studimet dhe kontribuimin e tyre në këtë fushë të rëndësishme për shëndetin publik.