
FSHJM finalizon laboratorin e ri të Shkencave Natyrore dhe Biodiversitetit
Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) ka përfunduar me sukses krijimin dhe finalizimin e Laboratorit të Shkencave Natyrore dhe Biodiversitetit, një hapësirë moderne dhe e integruar që përfshin Herbarin, koleksionin e shtazëve, si dhe pajisje të specializuara për terren dhe laborator. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve akademike dhe kërkimore të fakultetit.
Ky realizim është rezultat i bashkëpunimit me Universitetin e Konstanzës, Gjermani, dhe falë donacionit të Prof. Gregor Schmitz, FSHJM ka përfituar një koleksion të pasur të specieve të kafshëve që jetojnë në Kosovë, përfshirë gjitarë, shpendë, reptile, amfibë, peshqë dhe invertebratë të ndryshëm. Koleksioni përfshin shtazë të balsamosura, të konzervuara, skelete, produkte lëkurore të shtzëve, insketariume, produkte të krijuara nga insektet dëmtuese të pyjeve, materiale literare për identifikim dhe pajisje për terren dhe laborator, duke e shndërruar laboratorin në një qendër të plotë për studime dhe praktika shkencore.
Laboratori do të shërbejë si një qendër e rëndësishme për mësimdhënie, kërkim shkencor dhe aktivitete praktike për studentët e programit Shkencat e Pyjeve dhe Mjedisit, duke mbështetur mësimdhënien e lëndëve të biologjisë së shtazëve dhe bimëve, ekologjisë dhe shkencave mjedisore. Ai gjithashtu do të jetë një burim i vlefshëm për stafin akademik të FSHJM, për hulumtime shkencore, si dhe për projektet dhe aktivitetet e komunitetit më të gjerë.
FSHJM i shpreh falenderime të veçanta Prof. Gregor Schmitz, duke marrë përsipër një angazhim të plotë për ruajtjen dhe zhvillimin e këtij laboratorit nën drejtimin e Prof. Asoc. Dr. Albana Plakiqi Milaimi dhe stafit të fakultetit.
Ky realizim i rëndësishëm forcon kapacitetet e FSHJM-së në arsim, kërkim shkencor dhe ruajtjen e biodiversitetit, duke krijuar një mjedis të pasur dhe praktik për studentët dhe stafin akademik dhe duke kontribuar në avancimin e njohurive dhe praktikave shkencore në Kosovë




















