
Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit Mori Pjesë në Panairin AGROKOS 2024
Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren mori pjesë me sukses në panairin AGROKOS 2024, i cili u mbajt më 16 tetor 2024. Ky panair ofroi mundësi të shumta për të lidhur teorinë me praktikën, për të nxitur inovacionin dhe për të promovuar bashkëpunime të reja midis studentëve dhe industrisë.
Fakulteti ynë u përfaqësua me dinjitet nga profesorët dhe studentët tanë të angazhuar:
- Prof. Isuf Lushi, së bashku me dhjetë studentët e kryesuar nga Beslinda Himaj, prezantuan programet tona të studimit dhe mundësitë që ofrojnë për karrierën në fushën e agrobiznesit dhe shkencave mjedisore.
- Prof. Sadik Maloku mori pjesë si panelist në diskutimin mbi temën “Roli i panaireve të agrobiznesit në zhvillimin profesional dhe karrierën e studentëve: Krijimi i udhëheqësve të ardhshëm të industrisë.”
Gjatë diskutimit, u trajtuan çështje të rëndësishme si lidhja midis edukimit dhe tregut të punës, nxitja e inovacionit përmes kërkimeve dhe teknologjisë së re në bujqësi, si dhe sfidat e tregut të punës në sektorin e agrobiznesit.
Pjesëmarrja në AGROKOS ishte një mundësi e shkëlqyer për të promovuar punën e fakultetit tonë dhe për të krijuar ura të reja bashkëpunimi me sektorin privat dhe publik. Falënderojmë të gjithë ata që kontribuan dhe na mbështetën gjatë këtij panairi.







