
Shënimi i “Ditës së Tokës” në FSHJM me aktivitete ndërgjegjësuese dhe praktike
Në kuadër të shënimit të Earth Day (“Dita e Tokës”), Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit (FSHJM) në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në bashkëpunim me CNVP, organizoi një sërë aktivitetesh me karakter edukativ dhe praktik, me fokus në mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e biodiversitetit.
Në këto aktivitete morën pjesë studentët e programeve të FSHJM-së, si dhe stafi akademik, përfshirë Prof. Asoc. Dr. Faruk Bojaxhi dhe Prof. Asoc. Dr. Ylli Kortoçi, të cilët kontribuan aktivisht në realizimin dhe udhëheqjen e tyre.
Aktiviteti u përqendrua në dy komponentë kryesorë:
- Mbjellja e fidaneve, si një veprim konkret në funksion të përmirësimit të mjedisit dhe rritjes së hapësirave të gjelbra;
- Ligjëratë tematike për studentët, ku u trajtuan çështje që lidhen me rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, ndryshimet klimatike dhe rolin e biodiversitetit në ekosistemet natyrore.
Përmes kësaj iniciative, studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë teorike me përvojën praktike në terren, duke thelluar kuptimin e tyre mbi përgjegjësinë që kanë si profesionistë të ardhshëm në fushën e mjedisit.
FSHJM mbetet e përkushtuar në promovimin e aktiviteteve që nxisin vetëdijen mjedisore dhe angazhimin aktiv të studentëve në mbrojtjen e natyrës, në përputhje me misionin e saj për edukim cilësor dhe zhvillim të qëndrueshëm.







