You are here:

Historiku i Fakultetit

Iniciativa për themelimin e programeve të reja studimore që lidhen me ushqimin, mjedisin dhe bujqësinë ka filluar nga Rektori Prof. Dr. Ramë Vataj, ku në dhjetor të vitit 2014 i propozoi senatit të universitetit ngritjen e një komisioni profesional që do të merret me hulumtimin e tregut të punës dhe kapaciteteve të universitetit për një fakultet të ri dhe programe të reja studimore. Komisioni në përbërje prej, Dr. Bekim Gashi, Dr. Isuf Lushi dhe Dr. Hysen Bytyqi, pas një konsultimi të gjerë me ekspertë të ndryshëm por edhe me universitet e tjera në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Slloveni dhe Itali si dhe Institucione të ndryshme shtetërore, propozoi që në kuadër të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren të themelohet edhe një fakultet i ri në fushën e shkencave jetësore. Mbështetur në programet studimore që do të ofron ky fakultet dhe shembujt e tjerë nga bota perëndimore por edhe kodet e lëmive sipas Erasmus, komisioni hartoi raportin dhe i propozoi Senatit dhe KD-së që kjo njësi akademike, të emërohet: Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit.

Bazuar në specifikat e UPZ-së dhe kërkesat e tregut të punës në regjionin e Prizrenit por edhe mbarë Kosovës, programet e reja studimore të prezantuar në këtë raport do të kontribuojnë në rritjen e performancës së UPZ-së në përgjithësi por edhe identifikimit të këtij universiteti në veçanti. Duke marrë parasysh traditën e regjionit të Prizrenit por edhe pozitën gjeografike, atëherë, këto programe do të ndikojnë direkt ose indirekt në rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik por edhe shkencor të këtij regjioni përmes kualifikimit të ekspertëve të lëmive të ndryshme.

Mbështetur në dispozitat e nenit 55 dhe 56 të Statutit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, dhe sipas propozimit të komisionit dhe rektorit, Këshilli Drejtues i UPZ-së  përkrahi iniciativën (Vendimi nr. 183/2015, dt. 03.06.2015) që të themelohet Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në kuadër të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.